Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe afaristi i njohur kosovar, Isak Neziri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Albin Kurti, të bëra në një intervistë televizive.
Në një postim publik, Neziri e ka akuzuar Kurtin për sulme ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët aktualisht po përballen me drejtësinë në Hagë. Sipas tij, këta dy figura janë simbol i luftës për çlirim dhe përfaqësojnë frikën më të madhe të Kurtit.
“Frika ma e madhe e Albin Kurtit janë këta dy burra – Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Çfarë ligësie duhet me pas me i sulmu nga një studio televizive dy burrështetas që po e mbrojnë luftën çlirimtare. Dielli do të lind përsëri,” ka shkruar Neziri në rrjetet sociale.
Reagimi i Nezirit vjen në një periudhë kur në opinionin publik po vazhdon debati për qëndrimin e institucioneve të Kosovës ndaj liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kritikat ndaj Kurtit janë shtuar ditëve të fundit, me shumë figura politike që e akuzojnë për qasje të ftohtë dhe të pakuptimtë ndaj figurave kyçe të luftës së fundit në Kosovë.