Një situatë emergjente është krijuar pasditen e sotme në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi autoritetet maqedonase kanë vendosur të mbyllin tërësisht kalimin kufitar për shkak të një zjarri të përmasave shqetësuese që ka shpërthyer afër tunelit Stankovec, në afërsi të rrugës magjistrale drejt Shkupit.
Lajmi u konfirmua nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), e cila njoftoi se qarkullimi i automjeteve në drejtimin Bllacë – Shkup dhe anasjelltas është ndërprerë plotësisht, duke shkaktuar kaos dhe pasiguri për dhjetëra qytetarë dhe udhëtarë që ndodheshin në afërsi të zonës së rrezikut.
Sipas njoftimit zyrtar:
“Sot, më datë 07.07.2025, rreth orës 16:00, nga pala e RMV-së jemi njoftuar se në Maqedoninë e Veriut është ndezur zjarr afër tunelit Stankovec, dhe Policia e RMV-së e ka ndalur qarkullimin e veturave, duke i orientuar drejtuesit për rrugë alternative. Në orën 16:20, pala e RMV-së ka bllokuar edhe hyrjen për të gjitha automjetet.”
Situata konsiderohet alarmante, pasi zjarri është përhapur pranë një zone kyçe të infrastrukturës rrugore që lidh dy vendet, duke rritur rrezikun për qytetarët dhe duke kërcënuar sigurinë në transportin ndërkombëtar.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që të shmangin kalimin përmes Pikës Kufitare të Hanit të Elezit, dhe të presin udhëzime të mëtejme për rrugët alternative ose rifillimin e qarkullimit.
Nuk dihet ende nëse zjarri është vënë nën kontroll dhe cilat janë shkaqet e tij. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por autoritetet janë në gatishmëri të plotë dhe pritet ndërhyrja e njësive zjarrfikëse në teren.

