Deputeti Elmi Aziri nga ASh-ja ka reaguar se Kuvendi i kryesuar nga kryetari, Afrim Gashi, qëllimisht po lejon diskriminimin dhe shkeljen e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, sepse sipas tij, në disa raste materialet e Kuvendit po dorëzohen vetëm në gjuhën maqedonase.
“Të nderuar, sikurse edhe më herët që kanë dhënë vërejtje, ja edhe sot po jap disa materiale që sot i kemi pranuar vetëm në gjuhën maqedonase. Insistimi për mosrespektimin e rregullores, për mosrespektimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, për mosrespektimin e kushtetutës së RMV-së, nuk i bën mirë Maqedonisë, nuk i bën mirë as këtij Parlamenti, nuk i bën mirë as të ardhmes, por e bën të rrejshme tendencën deklarative të shumë deputetëve dhe funksionarëve se gjoja Maqedonia e Veriut t’i përqafojë vlerat e Bashkimit Evropian.”, – u shpreh deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri.
Në rend të ditës ishte e planifikuar të jetë edhe interpelanca e ngritur nga ana e deputetëve të Frontit Evropian për punën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski. Deputetët e Frontit Evropian kanë theksuar se kjo iniciativë nuk ka për qëllim ushtrimin e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, por të ngritë një debat institucional mbi mënyrën e funksionimit të këtij institucioni dhe rolin e kryetarit të saj në respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.