Zafir Berisha, një prej zërave më të zhurmshëm dhe më kontrovers në skenën politike kosovare, ka shpërthyer sërish në akuza të rënda ndaj Policisë së Kosovës, duke i quajtur efektivët “milicë të regjimit të Albin Kurtit” dhe duke kërkuar testim droge për ta.
Në një postim të bërë sot në rrjetet sociale, Berisha nuk kurseu fjalët ndaj policëve që, sipas tij, janë rekrutuar pas vitit 2021 dhe veprojnë më shumë si të ishin pjesë e një strukture politike sesa si shërbyes të ligjit.
“Të gjithë milicët e regjimit të Albin Kurtit, të rekrutuar nga viti 2021, duhet t’i nënshtrohen edhe njëherë orëve edukative në Vushtrri dhe të ju bëhet testi i drogës!”, shkroi ai në reagimin e tij publik.
Ai paralajmëroi se mosreagimi institucional ndaj sjelljes së policisë rrezikon të prodhojë tragjedi edhe më të mëdha, duke përmendur si shembull rastin e fundit të dhunës në Lipjan – që sipas tij mund të mbetet i vogël krahasuar me atë që mund të ndodhë nëse situata injorohet.
“Nëse nuk reagohet për këtë që po ndodhë mes qytetarëve dhe policisë, rasti i Lipjanit do të harrohet karshi tragjedive edhe më të mëdha që munden me ndodhë”, shtoi ai, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi funksionimin dhe etikën e forcave të rendit.
Kjo nuk është hera e parë që Berisha përdor gjuhë të tillë kundër institucioneve shtetërore – një strategji që, përkundër kritikave, duket se synon të mobilizojë mbështetësit përmes revoltës ndaj sistemit.