Deputetja e Kuvendit, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas dështimit për të 45-tën herë konstituimit të Kuvendit të Kosov për të përmbyllur seancën e nisur më 15 prill.
Kusari-Lila para mediave tha se opozita po shkakton bllokadë institucionale dhe po shkel qartazi Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Fatkeqësisht, edhe sot ishim dëshmitarë të një shkeljeje evidente kushtetuese nga ana e deputetëve të opozitës. Shkelja e parë është refuzimi për të marrë pjesë në votim, ndërsa shkelja e dytë është insistimi për debat në një seancë që është e përcaktuar si konstituive – ku nuk lejohet debat parlamentar, por vetëm proces votimi”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo u ndal edhe te cilësia e debatit parlamentar, duke shprehur shqetësimin për nivelin e fjalorit dhe për sjelljen fyese mes deputetëve
“Targetimi dhe fyerja ndaj një deputeti është e papranueshme dhe e dënueshme. Kjo qasje nuk mund të kalojë pa u vënë në dukje. Veçanërisht sot, një deputete nga opozita ka bullizuar një anëtare të grupit tonë. Kjo gjuhë nuk i shërben demokracisë dhe e dëmton seriozitetin e Kuvendit”, tha ajo.
Kusari-Lila po ashtu komentoi vonesat që po ndodhin në funksionalizimin e komisioneve parlamentare, duke e lidhur këtë me mungesën e përqendrimit në çështje të rëndësishme siç janë fondet për planin e rritjes ekonomike.
“Fondet nuk janë humbur, por janë shtyrë. Megjithatë, po humbim kohë të çmuar, sepse në vend që të merremi me çështje konkrete që ndihmojnë vendin, po merremi me seanca të stërzgjatura dhe me bllokada të qëllimshme. Dua ta rikujtoj edhe një herë: nuk po votohet për ndonjë emër specifik, as për Haxhiun si individ, por për përbërjen e Komisionit. Megjithatë, këta nuk po e bëjnë”, u shpreh ajo.