Pas një sërë ndërprerjesh dhe vonesash shumëvjeçare, sot kanë rinisur punimet në rrugën Dollc–Gjakovë, një projekt ky që ishte nisur që në vitin 2019.
Projekti parashikon zgjerimin e rrugës në katër korsi përgjatë një traseje prej 31 kilometrash, dhe është ndarë në disa segmente për realizim më të lehtësuar. Pavarësisht fillimit me pritje të larta, rruga është përballur me ndërprerje të shumta që nga fillimi i punimeve para gjashtë vjetësh.
Aktualisht, kompania “Benita Company” është mobilizuar në terren dhe po zhvillon punimet me intensitet të shtuar, duke synuar përfundimin e segmentit të mbetur sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ky projekt infrastrukturor pritet të lehtësojë dukshëm qarkullimin dhe të lidhë më mirë komunat përreth me qytetin e Gjakovës, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

