Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Letoni, ka ritheksuar përkushtimin e vendit ndaj vlerave demokratike dhe aleancave ndërkombëtare për siguri dhe paqe.
Në kryeqytetin letonez, Riga, Osmani vizitoi Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), një institucion kyç në përballjen me kërcënimet hibride dhe mbrojtjen e integritetit informativ.
“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO”, theksoi Presidentja, duke vënë në pah rolin aktiv të Kosovës në forcimin e sigurisë rajonale dhe globale.
Në kuadër të vizitës, Osmani mori pjesë edhe në një diskutim në Shtëpinë e Evropës, ku bashkë me gra lidere dhe aktiviste nga Letonia ndanë përvoja për fuqizimin e grave në procese demokratike dhe të sigurisë. Ajo theksoi se Kosova, si një vend që ka kaluar përmes luftës, po ecën përpara me gratë në qendër të çdo transformimi demokratik.
Vizita u përmbyll me një ndalesë në Muzeun e Okupimit të Letonisë, ku Osmani vlerësoi qëndrueshmërinë historike të popujve që kanë përjetuar pushtime dhe padrejtësi.
“Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt,” përfundoi ajo.

