Profesori Latifi: Në Kosovë, papërgjegjësia paguhet mirë – Kuvendi është bërë strehë për dembelët dhe të paarsimuarit

by informim peje


Në një opinion të drejtpërdrejtë dhe pa dorashka, profesori universitar Blerim Latifi ka shpërthyer ndaj realitetit politik në Kosovë, ku sipas tij, deputetët nuk përfaqësojnë më as dije, as kulturë dhe as përgjegjësi.

Në vend të kësaj, janë shndërruar në përfitues të mirëpaguar të një sistemi që shpërblen mungesën e meritës dhe përkushtimit.

banner

“Në Kosovën e ditëve tona mund të bëhesh deputet edhe nëse nuk ke as profesion, as nivel kulturor dhe bagazhin intelektual e ke zero. Asnjëra nga këto nuk ka rëndësi: rroga të del në fund të muajit,” shkruan Latifi, duke vënë në pah krizën e thellë të përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës.

Ai thekson se për shumë deputetë, puna parlamentare është një vend i sigurt për të mos bërë asgjë dhe për të mos dhënë asnjë kontribut real, përveç ndoshta ngritjes së dorës për ndonjë votim të komanduar:
“Mund të jesh deputet, të mos e hapësh kurrë gojën dhe prapëseprapë të marrësh rrogën rregullisht. Mund të mungosh sa herë të duash, përderisa mungesat nuk e kalojnë gjashtë muaj, dhe sërish paga nuk ndalet.”

Në mënyrë ironike dhe therëse, Latifi e quan Kuvendin e Kosovës si “utopia që mungon në literaturën filozofike – një utopi për dembelët dhe të papërgjegjshmit”.

Por përtej ironisë, ai bën një paralajmërim serioz për rrënimin e thellë të parimeve demokratike:
“Demokracia nuk mund të funksionojë vetëm si respektim formal i procedurave ligjore në ushtrimin e pushtetit. Ajo kërkon besim të thellë në vlerat e saj. Kur ky besim mungon, procedurat formale rrënohen si kulla prej letre.”

Latifi ngre pyetjen thelbësore: A jemi duke ndërtuar një shtet serioz apo thjesht një skenë politike të populluar me figurantë të mirëpaguar?

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy