Nga: Shqiptar Shaljani
(Ahmet Musa)
Një Komb , një gjuhë , një gjak !
Shaljanë e Mirditorë – sot u lidhën dorë për dore nën bekimin e besimit të të parëve!
Të dashura shqiptare e shqiptarë, miq e dashamirë të çështjes sonë kombëtare , sot në Kishën Katolike Shqiptare “Shën Kryqi” në Mitrovicë, u kremtua një ngjarje historike, prekëse dhe tejet domethënëse për rrugën tonë shpirtërore dhe identitare. Shtatë shqiptarë e shqiptare, të ardhur nga mërgata – nga Kanadaja, Gjermania dhe Zvicra – u pagëzuan në emër të besimit të lashtë të të parëve tanë. Ishin bijë e bij të Shalës së Bajgorës, të Mirditës dhe të trojeve të tjera shqiptare që sot, përmes një akti solemn, shpirtëror e kombëtar, u lidhën fuqishëm me rrënjët tona më të thella historike e shpirtërore.

Ky nuk ishte vetëm një pagëzim fetar, por një deklaratë publike e një ringjalljeje kombëtare: një kthim dinjitoz e i vetëdijshëm drejt identitetit tonë autokton e evropian, drejt asaj trashëgimie që na lidh me Ilirinë, me Arbërinë dhe me themelet shpirtërore të qytetërimit shqiptar në Europë.
Në të njëjtën kohë, nga zyra e Lëvizjes së Deçanit – Dega në Mitrovicë, kemi pritur sot mysafirë, mbështetës e veprimtarë nga vise të ndryshme shqiptare që ndajnë të njëjtin ideal: ringritjen shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, rikthimin e nderit tonë të moçëm dhe mbrojtjen e vlerave tona autoktone.

Betejën nuk e kemi filluar për ta humbur – por për ta fituar!
Dhe këtë betejë do ta fitojmë, siç i kemi fituar përballjet më të mëdha të historisë sonë. Sepse shqiptarët janë ata që thyen perandori e pushtues, që nuk u nënshtruan as kur u goditën më rëndë, dhe që sot – në zemër të Evropës – po i thyejnë edhe statistikat e rrejshme e të orkestruara nga qarqet antikombëtare që përpiqen të na përkufizojnë vetëm në bazë të përkatësive fetare orientale.

Ne jemi shqiptarë! Ne jemi evropianë! Dhe do ta tejkalojmë çdo paragjykim – madje edhe vet Vatikanin – me lashtësinë, qëndrueshmërinë dhe vullnetin tonë për t’u rikthyer tek besimi i të parëve tanë, që daton shekuj përpara shumë të tjerëve në këtë kontinent.
Të nderuar shqiptarë ky është një moment për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për të bërë një zgjedhje:
A do të vazhdojmë të jetojmë në errësirën e huaj që na është imponuar? Apo do ta ndriçojmë rrugën me dritën e gjakut tonë, të gjuhës, të kombit dhe të besimit të vërtetë shqiptar?
Zoti ynë, bekoje kombin tonë hyjnor!
Bekoi të kthyerit në rrugën e dritës!
Bekoje Shalën, Mirditën, Kosovën dhe gjithë Shqipërinë!
Amen!

Ftoj opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar të reflektojë mbi këtë akt të kthjelltësisë shpirtërore. A është ky kthim i pakthyeshëm fillimi i një zgjimi më të gjerë? Si ju duket ky akt pagëzimi dhe simbolika e bashkimit të Shalës e Mirditës sot në Mitrovicë?

