Flutura Kusari kritikon qeverinë: RTK-së i rrezikohen pagat, mungon vullneti politik për zgjidhje

by engel

Ekspertja e medias dhe juristja Flutura Kusari ka ngritur alarmin për situatën e rëndë financiare në të cilën po kalon Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke kritikuar institucionet shtetërore për neglizhencën dhe mungesën e vullnetit politik për të garantuar funksionimin normal të shërbimit publik medial.

Në një reagim të saj, Kusari thekson se ekziston rrezik serioz që punëtorët e RTK-së të mbesin pa paga në fund të këtij muaji, për shkak të mosfunksionimit të Komisionit për Financa në Kuvendin e Kosovës.

banner

“Më 31 korrik ekziston rrezik serioz që punëtorët e RTK-së mos me u pagu sepse nuk është transferu pjesa e dytë e mjeteve, për shkak se komisioni parlamentar për financa nuk ekziston,” ka shkruar Kusari.

Ajo shpjegon se RTK i nënshtrohet një procedure standarde për transferimin e mjeteve buxhetore dy herë në vit, që përfshin raportimin në Komisionin për Financa dhe aprovimin e fondeve nga Thesari i Shtetit. Me dështimin e këtij mekanizmi, shkaku i mungesës së komisionit parlamentar, institucionit publik i rrezikohet stabiliteti financiar.

Megjithatë, Kusari kujton se në të kaluarën situata të ngjashme janë tejkaluar me vendime ad-hoc, qoftë nga komisioni për financa, pa procedura të plota formale, apo me ndërhyrje direkte të kryeministrit.

“Transferimi i mjeteve mund të ndodhë sepse ka precedentë, por për këtë duhet vullnet politik nga kryeministri,” thotë ajo, duke e bërë të qartë se përgjegjësia tani bie mbi qeverinë dhe shefin e saj.

Në reagimin e saj kritik, Kusari thekson nevojën për jo vetëm mbështetje të menjëhershme për RTK-në, por edhe rritje të buxhetit dhe rrogave për punëtorët e saj, të cilët për vite janë përballur me kushte të vështira financiare dhe ndërhyrje politike.

“RTK-së duhet me ia transferu mjetet, me ia rritë buxhetin dhe punëtorëve të RTK-së duhet me ua rritë rrogat,” përfundon ajo.

Ky është një apel i drejtpërdrejtë për qeverinë që të veprojë menjëherë, për të mos e kthyer një krizë administrative në një goditje të re për medien publike dhe punëtorët e saj, të cilët përkundër sfidave, vazhdojnë të mbajnë gjallë shërbimin informativ për qytetarët e vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy