Politologia Magbule Shkodra ka hedhur dyshime të forta mbi qartësinë dhe koherencën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës së fundit për media, ku u trajtua çështja e kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit të ri.
Në një prononcim për “Ora News”, Shkodra vlerësoi se deklaratat e presidentes ishin kontradiktore dhe ndryshonin në kohë reale, duke treguar mungesë të dukshme përgatitjeje.
“Njëherë deklaronte që nëse konstituohet Kuvendi, ajo do ta tërheq kërkesën. Më pas, theksonte se bëhej fjalë për një kërkesë preventive për të shmangur shkeljen kushtetuese. Kjo mospërputhje tregon paqartësi dhe nxit mosbesim në procesin”, u shpreh Shkodra.
Sipas saj, kërkesa e presidentes, e cilësuar si një nismë “për të sqaruar rrugën kushtetuese” në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik, ngjan të jetë hartuar në minutat e fundit, përkundër deklarimeve të mëhershme të Osmanit se drafti ishte i gatshëm.
“Ky luhatje në qëndrime publike në një moment kaq kritik institucional cenon besimin publik dhe rrit pasiguritë mbi hapat e mëtejshëm politikë”, shtoi ajo.
Aktualisht, kërkesa e presidentes ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që vendi gjendet në një fazë të ndjeshme, përballë mungesës së institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa opinioni publik pret sqarime të mëtejshme mbi rrugën që do të ndiqet nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues.