Ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, i ftuar në Log. në News24, u shpreh se 90% e parave të pista shkojnë në ndërtim, që është e konfirmuar në shumë dokumenta dhe analiza, teksa kontribuesin më të madh në GDP kemi ndërtimin, ndërsa ka rënie të industrisë dhe bujqësisë
Sipas Shehut, kemi një ekonomi që po shkon në trend rënës, sidomos me mungesën e sektorëve kyç të ekonomisë dhe kjo do të thotë se ekonomia dominohet nga pjesa informale që ka ndikuar në një sektor, i cili jep efekt ‘one time’
Sherefedin Shehu: “Ne jemi në një situatë ku po shikojmë kullat. Ka statistika dhe analiza historike, sidomos nga historia e mafies, që 90% e parave të pista shkojnë në ndërtim. Kjo është e konfirmuar në shumë dokumenta dhe analiza. Kontribuesin në GDP kemi ndërtimin, kemi rënie të industrisë dhe bujqësisë, ku çelësi i zhvillimit është manifaktura ose modelet ekonomike.
Tjetër, kemi një parashikim të zymtë për ekonominë. FMN në parashikimet e muajit prill thotë se do të ketë rritje në 3.5%, ndërkohë që synimi në vendet e varfëra është të shkojë rreth 7%, që të ndikojë në mirëqënien e qytetarëve. Pra, kemi një ekonomi që po shkon në trend rënës, sidomos me mungesën e sektorëve kyç të ekonomisë. Kjo do të thotë se ekonomia dominohet nga pjesa informale që ka ndikuar në një sektor, i cili jep efekt ‘one time’ (menjëhershëm), por pastaj shtëpia nuk jep bukë për të ngrënë.”