Franca ka njoftuar zyrtarisht se do të njohë shtetin e Palestinës në muajin shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Lajmin e bëri publik presidenti Emmanuel Macron të enjten, më 24 korrik, përmes rrjeteve sociale, duke theksuar angazhimin historik të Francës për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
“Duke qenë besnik ndaj përkushtimit historik për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë shtetin e Palestinës,” tha Macron. Ai shtoi se “urgjenca sot është ndalja e luftës në Gaza dhe sigurimi i ndihmës për popullsinë civile.”
Franca do të bëhet vendi i parë i G7 që njeh shtetësinë palestineze, duke iu bashkuar vendeve të BE-së si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe Sllovenia, të cilat e ndërmorën këtë hap gjatë vitit 2024.
Konferenca për zgjidhjen me dy shtete, e cila fillimisht ishte planifikuar për në qershor por u shty për shkak të bombardimeve të Izraelit mbi Iranin, do të mbahet më 28–29 korrik në Paris. Megjithatë, ajo nuk do të ketë praninë e presidentit Macron dhe as të princit saudit Mohamed bin Salman, duke e ulur nivelin e saj në një takim ministror.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi vendimin e Macron si një “shpërblim për terrorizmin”, duke paralajmëruar se një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një “platformë për shkatërrimin e Izraelit”. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, e quajti vendimin e Francës “turp” dhe “dorëzim ndaj terrorizmit”.
Edhe SHBA kundërshtoi ashpër planin francez. Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, tha se ky është një “vendim i pamatur që i shërben propagandës së Hamasit dhe i kthen pas përpjekjet për paqe”.
Në të kundërt, Spanja dhe Irlanda mirëpritën hapin francez. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha: “E përshëndes Francën që i bashkohet Spanjës dhe vendeve të tjera në njohjen e Palestinës.” Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Harris, tha se ky është “një kontribut i rëndësishëm për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete”.
Në Bruksel, vendet anëtare të BE-së vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme sa i përket marrëdhënieve me Izraelin. Gjatë një takimi teknik këtë javë, shumica dënuan krizën humanitare në Gaza dhe dështimin e Izraelit për të respektuar marrëveshjen për ndihmat humanitare. Holanda denoncoi bllokimin e 116 kamionëve me ndihma dhe kufizimin e dërgesave me karburant.
Franca, Sllovenia dhe Suedia kërkuan veprim më të fortë nga BE, ndërsa Spanja theksoi detyrimet e unionit sipas së drejtës ndërkombëtare. Gjermania bëri thirrje për monitorim real në terren, ndërsa Hungaria dhe Çekia kërkuan të ruhet dialogu me Izraelin.
Megjithatë, mungesa e një pozicioni të përbashkët në BE vazhdon të jetë pengesë për veprime konkrete, pasi shumica e masave kërkojnë unanimitet.
Takimi i radhës në gusht, vendime në tetor
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë sërish këtë çështje në një takim joformal në gusht (i njohur si “Gymnich”), por vendimet konkrete mund të shtyhen deri në tetor, kur do të mbahet takimi zyrtar i radhës. Deri atëherë, presioni mbi BE-në dhe Izraelin pritet të rritet, ndërsa kriza humanitare në Gaza thellohet dita-ditës.