Avokati Dastid Pallaska ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat kushtetues për të zgjidhur çdo problem politik në vend dhe se ndërhyrja e saj në çështje të tilla shpesh ka prodhuar më shumë tensione sesa zgjidhje.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund të zgjidhë secilin problem politik në vend dhe, normalisht, nuk i takon me Kushtetutë ta bëjë këtë,” tha Pallaska.
Sipas tij, përpjekjet e Gjykatës për të marrë rol të theksuar në skenën politike kanë prodhuar varësi të aktorëve politikë ndaj saj, duke e politizuar pozitën e saj përtej kufijve që parashihen me Kushtetutë.
Ai thekson se në vendimet e ardhshme, kjo gjykatë nuk duhet të lërë hapësirë për paqartësi:
“Vendimet duhet të jenë të qarta dhe pa pikëpyetje, sepse përndryshe do të vazhdojë konfuzioni institucional.”
Pallaska komentoi edhe tri kërkesat që aktualisht ndodhen para Gjykatës Kushtetuese – një nga Presidentja dhe dy nga partitë opozitare. Ai vlerësoi se kërkesa e Presidentes është joserioze dhe duhet të refuzohet, ndërsa dy kërkesat tjera lënë hapësirë që çështja të trajtohet në tërësi dhe të vendosen parime që do të vlejnë edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit vitin e ardhshëm.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zëvendësojë rolin e partive politike në Kuvend. Ato duhet të marrin përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit, duke nominuar një kandidat tjetër që siguron shumicën për të zhbllokuar procesin,” theksoi ai.
Në vijim, Pallaska shtoi se duhet të sqarohet edhe çështja e kryesimit të seancës konstituive dhe roli i deputetëve të rinj, duke e cilësuar monopolizimin e këtij funksioni si një formë keqpërdorimi:
“Pse vetëm deputeti më i vjetër duhet të udhëheq seancën? Edhe deputetja më e re ka rol, nëse ai refuzon të kryejë detyrën.”
Ai rikujtoi edhe vendimin e vitit 2014, duke theksuar se kufizimi i partisë më të madhe në atë kohë për të ushtruar të drejtën e saj erdhi për shkak të rrethanave faktike, pasi nuk ishte thirrur fare seancë konstituive – pra, e drejta nuk ishte ushtruar.