Analisti Dibran Hoxha ka zgjedhur sot të na kthejë mbrapa në kohë – në një epokë kur Hekuran Murati, atëherë opozitar i paepur, recitonte me zell fjalë të mëdha kundër “papunësisë së popullit dhe pasurimit të politikanëve”.
Në një video që tani qarkullon në rrjetet sociale, dëgjohet zëri krenar i Muratit teksa e akuzon deputetin e atëhershëm të AAK-së, Bekë Berishën, për luksin politik familjar: “Vet je deputet, gruan e ke të punësuar në shtet, edhe bashkë po merrni paga të majme!”. Ishte ajo kohë kur Murati fliste për “pabarazi”, “klientelizëm” dhe “nepotizëm” si një puritan i politikës.
Por koha ecën, pozitat ndryshojnë – dhe duket se me to edhe standardet morale. Sepse sot, ironikisht, po nga radhët e Vetëvendosjes, deputetja Fitore Pacolli – një tjetër zë i dikurshëm kundër sistemit të vjetër – është bërë sinonim i përfitimeve familjare me shumicë: burri, vëllai, dhe daja i saj kanë përfituar subvencione që lënë gojëhapur edhe fermerët dhe artistët më të përkushtuar të vendit – me qindra mijëra euro nga fondet e ministrisë së bujqësisë dhe kulturës.
Dibran Hoxha, me një elegancë sarkastike, e krahason këtë video si një “shfaqje të qartë të sindromës së amnezisë politike”: dikur flisnin për moral, sot numërojnë grantet. Atëherë denonconin sistemin, sot janë vetë sistemi.