Një incident i rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje në Prishtinë, para zhvillimit të ndeshjes së kthimit ndërmjet Dritës dhe FC Kopenhagës, në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia e Kosovës rreth orës 19:00 ka shpërthyer një përleshje mes tifozëve, e cila ka rezultuar me tre persona të lënduar.
Zëdhënës të Policisë së Kosovës kanë deklaruar se të lënduarit kanë marrë ndihmë të menjëhershme mjekësore, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë për ta stabilizuar situatën.
“Sot rreth orës 19:00 ka ndodhë një incident, ku disa tifozë janë përleshur mes vete. Si pasojë, tre persona kanë pësuar lëndime, të cilët edhe kanë pranuar tretman mjekësor. Policia ka vënë situatën nën kontroll, ku ka arrestuar tre persona dhe disa të tjerë i ka shoqëruar për në stacion policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë .

