Trump sinjalizon gatishmëri për rikthimin e negociatave me Iranin, ofron lehtësim të sanksioneve

by Nexhat

Një hap të vogël drejt rifillimit të negociatave me Iranin duket se është i gatshëm të bëjë presidenti amerikan Donald Trump, duke ofruar lehtësim të sanksioneve dhe lirimin e fondeve iraniane të ngrira, në këmbim të hapave konkretë nga Teherani lidhur me programin e tij bërthamor, sipas deklaratave të zyrtarëve amerikanë për Axios.

Mesazhi i Uashingtonit ndaj Teheranit vjen në kuadër të përpjekjeve të ndërmjetësve nga Katari dhe Pakistani gjatë ditëve të fundit për të rikthyer në tryezën e bisedimeve dy palët, pas ngërçit që ka zgjatur që prej korrikut.

banner

Aktualisht, Uashingtoni dhe Teherani vijojnë të kenë dallime të rëndësishme për çështjet kryesore.

Irani kërkon që bisedimet të përqendrohen te ngushtica e Hormuzit dhe bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane, ndërsa administrata Trump kërkon që Teherani të pranojë lëshime lidhur me programin e tij bërthamor.

Megjithatë, propozimi amerikan, pas presionit të ushtruar ditët e fundit nga ndërmjetësit, ka krijuar hapësirë për optimizëm lidhur me një zhvillim të mundshëm në frontin diplomatik, pas refuzimit nga Trump të propozimit të fundit të paraqitur nga Irani.

Ndërmjetësit kanë planifikuar të takohen gjatë ditës në Nju Jork me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, për të diskutuar një propozim të Katarit, mbi të cilin palët kanë negociuar gjatë ditëve të fundit.

Më pas, sot ose të martën, pritet të zhvillohet një takim i ngjashëm me zyrtarë të administratës Trump, me qëllim përcjelljen e qëndrimeve të Teheranit dhe përpjekjen për afrimin e palëve.

Një zyrtar amerikan, i cili është në dijeni të bisedimeve indirekte mes dy vendeve, i cilësoi kontaktet si “pozitive dhe konstruktive”, duke theksuar se Irani “ka treguar fleksibilitet për çështjet që lidhen me programin bërthamor”.

Megjithatë, ai nënvizoi se ende ekzistojnë dallime dhe bëri të qartë se nuk do të ketë marrëveshje “nëse këto çështje nuk adresohen”.

“Palët vijojnë të kenë dallime lidhur me kohën e zbatimit të angazhimeve dhe se kush do të ndërmarrë i pari hapa të caktuar”, shtoi zyrtari.

“Lëvizja e anijeve në ngushticën e Hormuzit vazhdon të rritet dhe bllokada, së bashku me sanksionet, vijojnë të dobësojnë pozicionin e Iranit. Pozicioni amerikan forcohet çdo ditë dhe presidenti Trump mbetet i duruar dhe plotësisht i përkushtuar ndaj objektivit të tij: që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore”, deklaroi zyrtari amerikan, duke pasqyruar qëndrimet që po diskutohen në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas tij, administrata amerikane i sheh me skepticizëm premtimet e Teheranit dhe akuzoi Iranin se ka shkelur memorandumin e mëparshëm të mirëkuptimit, kur, sipas tij, në korrik hapi zjarr ndaj anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit.

“SHBA-së i nevojiten këtë herë garanci se Irani është serioz dhe se nuk po përpiqet thjesht të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet”, theksoi zyrtari. /Panorama

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy