Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, përfshirë dy zyrtarë komunalë dhe një kompani private, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit B.K., zyrtar i Komunës së Suharekës dhe menaxher i një projekti të infrastrukturës rrugore, si dhe E.Sh., mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i projektit, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare me qëllim përfitimi, duke përpiluar raporte të rreme për realizimin e punimeve që në fakt nuk janë kryer sipas kontratës.
Ndërkaq, D.S., në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë “S.C.O” Sh.P.K., bashkë me kompaninë si person juridik, dyshohet se ka bashkëpunuar me zyrtarët komunalë për të përpiluar dokumentacion fiktiv dhe për të lëshuar fatura për punime të parealizuara në terren.
Prokuroria njofton se pagesat për këto punime të dyshimta kapin shumën 24,945.32 euro, ndërsa dëmi real i shkaktuar Komunës së Suharekës llogaritet në 13,272.66 euro.
Sipas aktakuzës, punimet që ishin raportuar si të kryera në fazën e parë, më pas janë realizuar përmes një kontrate të re, të datës 22 nëntor 2022.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen konform ligjit në fuqi.