Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë këtë të mërkurë vendimin për dosjen e dytë në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
Goro u dënua me 2 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj vetëm 1 vit e 4 muaj në burg. Gjykata i ka hequr të drejtën për të mbajtur funksione publike për 5 vite.
Gjithashtu, në këtë proces u dha dënimi me 1 vit e 6 muaj burg për Vasillaq Strakoshën, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj vetëm 1 vit heqje lirie, me pezullim në 2 vite shërbim prove dhe heqje të të drejtës për të mbajtur funksione publike për 5 vite, raporton euronews.al.
Goro u dënua për shpërdorim detyre pasi, në kundërshtim me ligjin, i ka dhënë një sipërfaqe toke në zonën e Livadheve Arqile Bollanos, ish-kryebashkiakut në detyrë të Himarës.
Pak ditë më parë, Apeli i GJKKO la në fuqi edhe vendimin për dosjen e parë ndaj Goros, duke e dënuar atë me 3 vite e 1 muaj burg për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar për dosjen e parë ishte 2 vite e 20 ditë burg.
Në atë dosje Goron u akuzua se ka lejuar, përmes dokumenteve të falsifikuara, tjetërsimin e mbi 10 mijë metra katrorë tokë shtetërore në fshatin Gjilekë në pronësi private, përfitues përfundimtar i së cilës ishte Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin e një apartamenti rreth 81 metra katrorë, që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula. Në shkallën e parë, apartamenti ishte urdhëruar t’i kthehej firmës.
Goro u shpall fajtor edhe për mosdeklarim dhe fshehje pasurie