Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se dështimi për ta konstituuar Kuvendin dëshmon mungesën e përgjegjësisë politike nga Lëvizja Vetëvendosje, partia që doli e para në zgjedhjet e fundit, por jo fituese në kuptimin e shumicës parlamentare.
Në një deklaratë për IndeksOnline, Mustafa u shpreh se seancat e dështuara e kanë bërë të qartë se VV nuk ka votat e mjaftueshme as për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, e as për të formuar Qeverinë.
Sipas tij, kërkesa që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë këtë situatë nuk është e drejtë dhe dëmton parimet e demokracisë parlamentare. Ai kritikoi sjelljen e VV-së ndaj procedurave kushtetuese.
“Partia në pushtet nuk po i përfill elementët bazikë të Kushtetutës. Uzurpimi i pozitës së kryesuesit të Kuvendit dhe manipulimi me procedurat për votim të fshehtë, pa kandidat të propozuar, përbëjnë një paradoks kushtetues dhe ligjor. Ata që abuzojnë me rolin e tyre duhet të përballen me ligjin, jo t’ia ngarkojnë barrën Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Mustafa.
Ai theksoi se Kushtetuta është e qartë dhe duhet të zbatohet siç është, jo të interpretohet sipas nevojave politike. Mustafa shtoi se partia që pretendon të udhëheqë vendin duhet të sigurojë shumicën – në të kundërtën, duhet t’ua lëshojë hapësirën të tjerëve për të vepruar.
“Edhe opozita s’mund të sillet me logjikën ‘s’të dua ty në pushtet, por as vetë nuk dua të jem’. S’mund të thotë ‘s’do të bëjmë gabime si ata para nesh’, pa ndërmarrë rreziqe dhe hapa politikë. Politika është përballje me vendime, gabime dhe përgjegjësi”, theksoi ai.
Kujtojmë se aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që ndalon marrjen e vendimeve nga Kuvendi deri më 8 gusht, kur pritet aktgjykimi për kërkesat e PDK-së dhe LDK-së lidhur me procedurat e seancës konstituive.