Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Millosh Pleskoviqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, kanë reaguar familjarët e viktimave, të cilët u shprehën të zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Nëna e dy viktimave, të cilët sipas aktakuzës u vranë nga Pleskoviqi më 1 shtator 1998 në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren, deklaroi:
“Mi ka myt dy djem Milloshi, 29 vjet i kanë pasë. Pak janë 15 vjet burg për dy jetë.”
Edhe motra e viktimave reagoi e indinjuar duke thënë se dënimi është shumë i ulët për një krim të tillë, duke e akuzuar Pleskoviqin për njohje dhe qëllim të drejtpërdrejtë në vrasjet:
“Ai mi ka myt vllaznit e mi, pak është dënimi. Ai i ka njoftë, ka qenë në lagje me ta. S’është që i ka myt vetëm ata, ai i ka masakru edhe të tjerë në Prizren. Nanat po qajnë ende për bijtë e tyre. Gjykata ka dhanë pak – shumë pak.”
Sipas Prokurorisë Speciale, Pleskoviqi akuzohej për përfshirje në vrasjen e tre civilëve që po shkonin për dru në malin afër lagjes “Hoqa Mahalla” gjatë luftës. Trupat e viktimave ishin gjetur më vonë të gjymtuar.
Vendimi ndaj tij është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, familjarët kërkojnë drejtësi më të plotë dhe dënime më të rënda për krimet e luftës.