Sa gjatë do të jetoj? E kush nuk e ka bërë këtë pyetje. Tani, një aplikacion llogarit jetëgjatësinë dhe nevojën për kursim për pension.
Ky mjet i ri online ofron një përllogaritje shkencore të jetëgjatësisë së një personi – dhe në mënyrë të tërthortë, tregon gjithashtu se sa e madhe mund të jetë mungesa në pension që duhet mbuluar me iniciativë personale.
Është start-up-i berlinez Sonares që ka sajuar aplikacionin për përllogaritjen individuale të jetëgjatësisë. Aplikacioni në web, me emrin “Change Your Life App”, bazohet në një pyetësor interaktiv me 16 pika dhe një model të ri përllogaritës.
Instituti Gjerman për Sigurimin e Pleqërisë (Deutsches Institut für Altersvorsorge – DIA) është partneri i parë që e përdor këtë aplikacion në faqen e tij zyrtare: www.wie-alt-werde-ich.de.
Sipas njoftimit për shtyp, baza shkencore e aplikacionit – i cili është me interes edhe për këshillues financiarë dhe të sigurimeve që merren me produkte pensioni – përbëhet nga mbi 40 studime të pavarura ndërkombëtare.
“Në një metastudim të gjerë, Sonares ka identifikuar 16 faktorë kryesorë nga shumë të tillë që mund të ndikojnë në jetëgjatësi, dhe i ka paraqitur ata në mënyrë interaktive”, thuhet në deklaratë.
Shembull: Peter…
Aplikacioni mund të tregojë gjithashtu se sa vite mund të shtohen ose shkurtohen nga jeta, nëse ndryshohen faktorë të caktuar.
Një shembull:
“Peter është 30 vjeç dhe jeton në Gjermani. Si beqar, ai ka një jetëgjatësi statistike prej 82.3 vjetësh. Në rast se ai ka një partnere dhe fëmijë, jetëgjatësia e tij mund të rritet rreth tre vite, në 85 vjet.
Tymosja e cigareve dhe pirja e alkoolit, siç pritet, e ul jetëgjatësinë: Dy gota alkool në ditë, për shembull, i heqin Petrit 5.4 vite nga jeta. Por edhe kohëzgjatja mesatare e gjumit, përjetimi i stresit dhe faktorët e jashtëm si cilësia e ajrit ndikojnë në jetëgjatësi.
Në momentin aktual, për Petrin del një jetëgjatësi e pritur prej 88 vjetësh. Duke ndërhyrë në faktorët e duhur, ai mund ta zgjaste jetën e tij edhe me 9.7 vite të tjera.”
“Aplikacioni të fton të merresh thellësisht me jetëgjatësinë tënde”, shpjegon zëdhënësi i DIA-s, Klaus Morgenstern. “Është i lehtë për t’u përdorur dhe, për më tepër, është argëtuese të merresh me një temë që shumë preferojnë ta shmangin: plakjen. Një çështje që sidomos të rinjtë e heqin shpesh nga mendja”.