Pas paraqitjes së temperaturave të larta në vend, Inspektorati Qendror i Punës po kryen inspektime të rregullta dhe të intensifikuara në të gjitha institucionet publike dhe private.
“Qëllimi i këtyre inspektimeve është të sigurohet që punëdhënësit të respektojnë masat mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme, me synim ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve, sidomos atyre që punojnë në kushte të vështira dhe në ambiente të hapura”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, në rastet kur nuk respektohen masat e nevojshme, do të merren masa ndëshkuese.
“Nëse gjatë inspektimeve konstatohet se nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme mbrojtëse, Inspektorati Qendror i Punës do të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke ndërmarrë masat ligjore të parapara ndaj subjekteve përkatëse”, vazhdon njoftimi.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masat mbrojtëse për punëtorët, pas rritjes së temperaturave. Ky rekomandim vlen nga 11 deri më 15 gusht.
Sipas vendimit të MSH-së, kërkohet që të shmanget puna në ambient të jashtëm nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Po ashtu, kërkohet që gratë shtatzëna të lirohen nga puna gjatë kësaj kohe, nëse nuk është e mundur që të punojnë nga shtëpia. Në këtë rast, duhet të përshtaten oraret e punës herët në mëngjes apo në orët e vona të pasdites, dhe të sigurohet ajrosje e mjaftueshme dhe pika freskimi në vendet e punës.