Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se gjatë periudhës nga 15 deri më 20 gusht 2025, të gjitha operacionet dhe aktivitetet që lidhen me përgatitjen dhe zhvillimin e takimit midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin në Alaskë, do të përjashtohen nga masa ndëshkuese dhe sanksionet ekonomike të vendosura më parë.
Në deklaratën zyrtare thuhet se të gjitha veprimet dhe aktivitetet që normalisht ndalohen nga sanksionet, por që janë të nevojshme për organizimin dhe realizimin e takimeve mes qeverive të SHBA-së dhe Rusisë, do të lejohen përkohësisht deri më 20 gusht 2025.
Ky përjashtim vjen si një masë e përkohshme për të mundësuar bashkëpunimin dhe komunikimin diplomatik në kuadër të këtij samiti të rëndësishëm.

Qeveria amerikane thekson se kjo vendimmarrje është një hap i përkohshëm dhe i kufizuar, i cili nuk heq apo zbut në mënyrë të përgjithshme sanksionet kundër Rusisë, por synon të lehtësojë përgatitjet dhe realizimin e dialogut në nivel të lartë ndërmjet dy vendeve.
Ky samit është parë si një hap drejt përfundimit të luftës trevjeçare që po vazhdon në Ukrainë.
Ndryshe, Trump ka biseduar sot me liderët evropianë si dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky rreth takimit me Putinin, i cili do të mbahet të premten.

