Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave dhe pretendimeve në lidhje me përdorimin e avionëve nga ana e tij, duke mohuar zërat se ai udhëton me avion privat, ndërkohë që shteti nuk ka avionë për shuarjen e zjarreve.
Në një bashkëbisedim në Facebook, Rama theksoi se Shqipëria nuk disponon avionë të vetë për menaxhimin e zjarreve ndërsa shtoi se ai përdor avionin e shumëpërfolur vetëm për udhëtimet zyrtare ndërsa për udhëtimet private shfrytëzon fluturimet komerciale dhe udhëton shpesh me familjen në klasin ekonomik.
Ai nënvizoi gjithashtu se avionët që janë përdorur për nevoja shtetërore nuk kanë kushtuar më shumë se mesatarja e shpenzimeve që kryeministri i vendit realizon çdo vit, përfshirë edhe ato të paraardhësit të tij.
“Po të kishim vetë avionët tanë, do të ishte akoma më mirë. Askush nuk e mohon këtë. Por avionët nuk janë një fjalë goje. Disa, pa mendje ose nga dëshira për ta besuar, kanë ngrënë broçkullën e madhe se unë dhe qeveria paskemi blerë avion për veten. Nuk ka asnjë avion të blerë. Avioni i shumëpërfolur është përdorur nga unë vetëm për udhëtime zyrtare. Në çdo udhëtim privat, unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen, gjithmonë. Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat, të cilat janë të deklaruara dhe të verifikueshme. Avioni i përdorur për udhëtime zyrtare nuk i kushton shtetit shqiptar më shumë sesa shumatorja e shpenzimeve të kryera çdo vit nga Kryeministri i Shqipërisë, përfshirë edhe mesataren e paraardhësit tim, me nder”, tha Rama.