Analisti politik Agon Maliqi ka komentuar dështimin e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se partitë që deri dje ishin në opozitë po sillen “më shumë se korrekte” dhe po shfaqin gatishmëri për të mbështetur një kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar Kuvendi, nëse ai është një emër më konsensual.
“Ish-opozita po tregohet më shumë se korrekte dhe e gatshme të votojë për një emër më të pranueshëm nga Vetëvendosja. AAK madje ka bërë publike disa emra të pranueshëm, ndërsa PDK ka vendosur kriterin që kandidati të mos ketë qenë ministër në mandatin e kaluar”, ka shkruar Maliqi.
Në një reagim në rrjetet sociale, analisti ka dhënë dy shpjegime pse ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit:
Vetëvendosje nuk dëshiron kompromis – sipas Maliqit, kjo parti nuk do të pranojë marrëveshje me subjektet e tjera politike nga frika se mund të interpretohet si dobësi para opinionit publik. Ai thekson se rezultati i zgjedhjeve ishte një “fitore relative” që imponon konsensus, gjë që Vetëvendosja po refuzon ta pranojë.
Taktikë e qëllimshme bllokimi – shpjegimi i dytë, që sipas Maliqit është edhe më bindës, është se vonesat disa mujore dhe ndërhyrja e Gjykatës ishin pjesë e një strategjie të paramenduar për të penguar konstituimin e Kuvendit dhe nisjen e afateve ligjore për formimin e qeverisë.
Maliqi ka vlerësuar se e gjithë kjo situatë është një dramë e zgjatur politike që i ka kushtuar vendit paqartësi institucionale dhe vonesa serioze në funksionimin normal të shtetit.
