Gjatë 24 orëve të fundit, në disa komuna të Kosovës janë raportuar nëntë raste të dhunës në familje, ku shtatë persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa disa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rastet janë regjistruar në Drenas, Prishtinë, Gjilan, Shtime, Klinë, Pejë dhe Rahovec.
Rastet e raportuara:
Drenas (20.08.2025 – 02:00): Një burrë raportoi se ishte kanosur me largim nga shtëpia nga bashkëshortja e tij. Palët u intervistuan dhe u liruan në procedurë të rregullt.
Prishtinë (20.08.2025 – 01:00): Një burrë u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes. Me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje.
Prishtinë (20.08.2025 – 23:20): Një person raportoi se u fye dhe u kanos nga vëllai i tij. I dyshuari u intervistua dhe u lirua në procedurë të rregullt.
Gjilan (20.08.2025 – 18:10): Një burrë u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht vajzën e tij. Viktima mori trajtim mjekësor. I dyshuari u dërgua në mbajtje.
Shtime, fsh. Godanc i Epërm (20.08.2025 – 12:00): Një burrë u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij. Ajo mori trajtim mjekësor. I dyshuari u dërgua në mbajtje.
Klinë (20.08.2025 – 01:00): Një burrë u arrestua pasi ushtroi dhunë psikike ndaj dy vajzave të tij, njëra e mitur. Ai u dërgua në mbajtje.
Pejë (19.08.2025 – 22:00): Një grua raportoi se u sulmua fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj. Pas arrestimit dhe intervistimit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
Pejë (20.08.2025 – 23:00): Dy burra u arrestuan pasi sulmuan fizikisht një familjar. Viktima mori trajtim mjekësor. Të dyshuarit u dërguan në mbajtje.
Rahovec (20.08.2025 – 19:20): Një grua raportoi se u sulmua nga personi me të cilin bashkëjetonte. I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.
Policia e Kosovës njofton se hetimet për të gjitha rastet e raportuara janë në proces, ndërsa personat e arrestuar do të përballen me procedurat ligjore përkatëse.