Brenda dy ditësh, gjashtë persona kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta, shumica prej të cilave dyshohet të jenë vetëvrasje. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, tha për Ekonomia Online se situata është alarmante dhe se mungojnë statistikat zyrtare të sakta.
Sipas tij, rritja e numrit të vetëvrasjeve lidhet ngushtë me krizën e rëndë ekonomike dhe mungesën e shpresës. “Pensionistët prej pesë vitesh nuk kanë pasur rritje, përveç 20 për qind. Pjesa dërrmuese e popullsisë po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe shumëkush nuk arrin ta sigurojë jetesën e familjes”, u shpreh Shala.
Ai kritikoi institucionet për mungesën e mekanizmave parandalues, duke theksuar se reagimi i tyre kufizohet vetëm pas ngjarjeve tragjike. “Nuk do të mund të çrrënjoset kjo dukuri, por së paku mund të ulen rastet. Është përgjegjësi institucionale të krijohen mekanizma parandalues dhe të mbështeten qytetarët”, tha Shala.