Pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026, sfidat e arsimit në Kosovë po përsëriten, ndërsa qeveria vazhdon të neglizhojë kërkesat e mësimdhënësve.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për IndeksOnline, tha se mësimi do të nisë me kohë, por ngriti shqetësime serioze për mungesën e kontratës kolektive dhe për vonesat e zakonshme me furnizimin e librave shkollorë.
“Dy vitet e kaluara nxënësit humbën mbi një muaj mësim për shkak të vonesave me tekstet. Ministrja në largim, Arbërie Nagavci, bashkë me stafin e saj e përsëritën të njëjtin gabim si për inat. Mund t’i falet herën e parë, por jo tash kur tashmë dihet se modeli i imponuar ka dështuar dhe ka krijuar telashe për prindërit e nxënësit”, u shpreh Jasharaj.
Ai paralajmëroi se edhe këtë vit mësimdhënësit do të përballen me vështirësi, sepse pa libra, procesi mësimor mbetet i cunguar.
Jasharaj gjithashtu rikujtoi se SBASHK-u vazhdon të kërkojë rritje të pagave për mësimdhënësit dhe finalizimin e kontratës kolektive, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë të dialogut me sindikatat:
“Ne nuk kemi me kë të bisedojmë, sepse as parlamenti nuk është konstituar e as qeveri funksionale nuk ka. Qeveria e kaluar nuk e trajtoi me seriozitet sektorin e arsimit dhe kjo po e dëmton gjeneratën e re.”