Presidentja duhet të japë përgjigje të qarta për akuzën e saj tronditëse ndaj një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese!

by engel

Zonjë Presidente, kanë kaluar më shumë se dy javë nga deklarata juaj publike dhe bombastike se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese po rrezikon sigurinë kombëtare të Kosovës. Megjithatë, çuditërisht, ky gjyqtar vazhdon të jetë në detyrë, si të mos kishte ndodhur asgjë.

Pyetja është e thjeshtë dhe urgjente: ku është përgjegjësia juaj institucionale?

banner

Si Komandante Supreme e Forcave të Sigurisë, ju keni detyrim kushtetues që çdo kërcënim ndaj sigurisë kombëtare ta adresoni me vendosmëri, pa vonesë dhe pa kalkulime politike.

Nëse akuzat tuaja janë të vërteta, atëherë heshtja juaj pas deklaratës nuk është thjeshtë pakujdesi – është papërgjegjësi e rëndë. Nëse nuk janë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një instrumentalizim të fjalës “rrezikim i sigurisë kombëtare” për qëllime politike, çka është edhe më shqetësuese.

Zonjë Presidente, ju shpesh flisni për ndikimin rus, kinez apo iranian. Por le të jemi të qartë: ndikimi juaj mbi Moskën, Pekinin apo Teheranin është praktikisht zero. Ndërkohë, ndikimi dhe detyrimi juaj mbi institucionet e Kosovës është i drejtpërdrejtë dhe i pakontestueshëm. Pse pra anashkaloni atë që është brenda oborrit tuaj kushtetues?

Unë, si qytetar i këtij vendi, ndihem i pasigurt nga fakti se një person i cilësuar prej vetë Presidentes si kërcënim për sigurinë kombëtare vazhdon të mbajë funksion në një nga institucionet më të larta të drejtësisë. Kjo është papranueshme!

Prandaj, kërkoj publikisht nga ju:
Të shpjegoni qartë bazën e deklaratës suaj
Të thoni pse ky gjyqtar ende ushtron funksionin
Të bëni publike masat që keni ndërmarrë ose do të ndërmerrni

Zonjë Presidente, “siguria kombëtare” nuk është frazë për konferenca shtypi, as retorikë patriotike. Është çështje jetike për shtetin dhe qytetarët. Nëse nuk i jepni përgjigje publike kësaj çështjeje, atëherë do të mbani mbi vete barrën e papërgjegjësisë për çdo pasojë që mund të vijë nga ky tolerim i pajustifikueshëm.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy