Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rastet e përsëritura të neglizhencës në institucionet arsimore, duke përmendur raste konkrete ku fëmijët kanë munguar në shkollë për ditë të tëra pa u vënë re apo adresuar nga mësimdhënësit dhe institucionet përgjegjëse.
Sipas Berishës, një prej rasteve më shqetësuese ka qenë mungesa për 10 ditë rresht e një nxënësi në shkollë, për të cilën nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga mësuesja e as nga drejtoria.
“Ky nuk është një problem që buron nga mentaliteti i komuniteteve, siç tenton të justifikohet shpesh. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi që ka dështuar të funksionojë”, tha ai.
Ai theksoi se përpjekjet për ta përshkruar situatën si një çështje të “mentalitetit” të komuniteteve janë paragjykime të rrezikshme që largojnë vëmendjen nga përgjegjësitë institucionale.
“Këto nuk janë norma kulturore, por pasoja të rrethanave sociale dhe dështimit të sistemit arsimor për të ofruar mbështetje të barabartë për të gjithë fëmijët”, u shpreh deputeti

