Në hapësirat e Stacionit Policor në Partesh u përurua sot “Dhoma Mike”, një ambient i dedikuar për mbështetjen e viktimave të dhunës në familje.
Ceremonia u zhvillua në prani të Zëvendëskomandantit të Policisë së Kosovës, Nënkolonel Remzi Azemi, Zëvendës Komandantit të KFOR-it për rajonin e Lindjes, Nënkolonel Nicholas Acosta, përfaqësuesve nga shtabi i përgjithshëm i KFOR-it, si dhe zyrtarëve lokalë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, zyrtarë të Stacionit Policor në Partesh dhe Kryetari i Komunës së Parteshit.
“Dhoma Mike” është një projekt i financuar dhe realizuar nga misioni paqeruajtës KFOR, konkretisht nga komponenta amerikane, me qëllim ofrimin e një ambienti të sigurt dhe dinjitoz për intervistimin dhe përkrahjen e viktimave të dhunës në familje.
Nënkolonel Remzi Azemi falënderoi KFOR-in për mbështetjen dhe kontributin e çmuar, duke theksuar rëndësinë që ka një ambient i tillë në trajtimin e ndjeshëm të rasteve të dhunës:
“Kjo dhomë do të ofrojë kushte optimale për intervistimin e viktimave, sidomos të grave dhe fëmijëve, të cilët kanë nevojë për një ambient të qetë dhe mbështetës,” u shpreh Azemi.
Me këtë rastë Nënkolonel Azemi falënderoj KFOR për mbështetjen dhe doancionin për mobilimin e dhomës mike e cila do të ofroj kushte optimale për intervistimin e viktimave të dhunës në familje në veçanti.
Edhe Nënkolonel Acosta vlerësoi lartë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe shprehu gatishmëri që edhe në të ardhmen të gjejë forma bashkëpunimi dhe mbështetje për Policinë e Kosovës.
Njëzëri u vlerësua se ky investim është mjaft i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve dhe akomodimin e përkohshëm të viktimave të dhunës në familje.
Po ashtu ky investim ka për qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt, të rehatshëm dhe më të denjë për rikuperimin e viktimave, duke mundësuar kushte më të mira për strehim dhe përkujdesje të menjëhershme.
Investimet përfshijnë renovimin e hapësirës, pajisjen me mobilie të reja, shtimin e pajisjeve të nevojshme teknologjike, si dhe krijimin e një ambienti që ofron mbështetje psikologjike dhe emocionale për personat në nevojë.
Institucionet e përfshira ri konfirmojnë përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar në luftën kundër dhunës në familje, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për viktimat dhe duke fuqizuar mekanizmat mbrojtës.