Katër persona kanë mbetur të lënduar lehtë si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një lagje në Shtime.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se ka nisur si zjarr fushor dhe pastaj për shkak të erës është përhapur me shpejtësi. Deri më tani nga zjarri është përfshirë një shtëpi e vjetër dhe një veturë.
“Rreth orës 14:00, në lagjen “Pajtimi”në Shtime është paraqitur një zjarr fushor, i cili për shkak të erës së fortë është përhapur me shpejtësi. Zjarri, i cili ndodhet afër shtëpive të banimit, paraqet rrezik. Deri tani është përfshirë një shtëpi e vjetër dhe një veturë. Në vendngjarje ndodhen ekipet e zjarrfikësve të Shtimes, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit me ndihmën edhe të banorëve të lagjes. Deri në këtë moment është raportuar për katër persona të lënduar lehtë. Në zonën e rrezikuar ndodhet edhe një autoambulancë. Policia është në vendin e ngjarjes dhe menaxhmenti i saj është duke i koordinuar aktivitetet me autoritetet komunale”, ka njoftuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.