Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga Presidentja e Republikës që të mos i drejtohet Lëvizjes Vetëvendosje për mandatarin e ri për formimin e qeverisë, por që të aktivizojë kompetencat e saj kushtetuese dhe të dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas hulumtuesit të IKD-së, Naim Jakaj, ky hap është i domosdoshëm për të sqaruar nëse gjatë votimit të nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb janë shkelur parimet kushtetuese dhe garancitë për komunitetet jo shumicë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Jakaj tha se Lista Serbe tashmë ka dorëzuar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka afat 60 ditë për të vendosur. Sipas tij, edhe Presidentja duhet të ndërmarrë veprime të ngjashme për të shmangur një situatë të mundshme të paqëndrueshme institucionale.
“Në këto rrethana, ne si IKD vlerësojmë se ajo nuk do të duhej ta kërkonte mandatarin nga VV-ja, por t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse janë shkelur parimet e kushtetutshmërisë dhe garancitë për komunitetet jo shumicë,” tha Jakaj.
Ai paralajmëroi se nëse Presidentja vepron pa një vendim të qartë nga Kushtetuesja, mund të krijohet një situatë e rrezikshme ku një qeveri e formuar mund të rrëzohet më vonë si jo-kushtetuese, duke e thelluar krizën institucionale.
Jakaj shtoi se Gjykata Kushtetuese mund të marrë masa të përkohshme pezullimi për të parandaluar pasoja të pariparueshme, në rast se procesi vazhdon pa një verifikim të plotë kushtetues.
Në deklaratën e tij, Jakaj akuzoi edhe kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, për shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit gjatë procedurës së votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo shumicë.
Sipas tij, mënyra si është trajtuar rendi i ditës ka cenuar të drejtat kushtetuese të komuniteteve.
“Kryetari Basha ka nisur punën me një mbledhje jo kushtetuese, të paligjshme dhe në kundërshtim me parimet demokratike. Ai duhej të përsëriste votimin për nënkryetarët nga komunitetet, duke i hedhur në pako dhe duke respektuar procedurat e kërkuara nga rregullorja,” tha Jakaj.
Ai theksoi se Basha ka aplikuar standarde të dyfishta, duke kërkuar votim të përbashkët për partitë shqiptare, ndërsa për komunitetet jo shumicë ka lejuar votim të ndarë — një praktikë që bie ndesh me aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe me traditën parlamentare.