Kryeministri Albin Kurti ka vendosur sot të paraqitet në Gjykatë në cilësinë e viktimës lidhur me rastin e kërcënimit që e kishte marrë nga Faton Klinaku, nënkryetar i OVL UÇK.
Paraqitja e tij para gjykatës si viktimë por jo edhe para prokurorisë si dëshmitarë lidhur me një aferë korruptive ka ngritur debat në vendin tonë.
Publicisti Halil Matoshi ngre pikëpyetje serioze mbi sjelljet e Kurtit, duke kujtuar se pikërisht ai ka qenë nxitësi i diskursit agresiv në shoqëri, ndërsa sot shfaqet si i kërcënuar.
Në të njëjtën kohë, shmangia e tij për të dëshmuar në një rast korrupsioni qeveritar hedh hije të rënda mbi moralin politik dhe besueshmërinë e drejtësisë kosovare.
Matoshi pyet me ironi: si mund të kërkojë Kurti ekstradimin e Milan Radojčić në Kosovë, kur vetë nuk po i përgjigjet Prokurorisë së vendit të tij?
Postimi i plotë:
Kurti shkon në gjykatë vetëm si viktimë!?
Albin Kurti vet âsht njeriu që ka nxitë diskursin agresiv në shoqninë kosovare dhe tani shtihavet si viktimë!?
Kercënuesit – kushdokofshin – duhet ndëshku gjithmonë, pra edhe ata qe kanosin Kurtin edhe ata që kanosin mediat e gazetarët si të Serbisë!
Në anën tjetër, Kurti nuk i përgjegjet Prokurorisë si dëshmitar, në nji rast korrupsioni qeveritar, që me e mbajtë ende gjallë mitin për veten si të pakorruptueshëm.
Kështu ai vetë krijon mosbesim në sistemin e drejtësisë kosovare, e ku është morali të kërkojë ekstradimin e Milan Radojčić, në Kosovë?