Pesë vjet nga marrëveshja e 4 shtatorit: Çfarë u arrit mes Kosovës dhe Serbisë?

by informim peje

Pesë vjet më parë, më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për normalizim ekonomik, me ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Ky dokument u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve mes dy vendeve, si dhe një moment i veçantë në politikën e jashtme të Kosovës.

Marrëveshja u përpilua në katër gjuhë – shqip, anglisht, serbisht dhe hebraisht – dhe përfshinte një sërë zotimesh të ndërsjella, përfshirë një element të veçantë: njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Si rezultat, më 14 mars 2021, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, duke u bërë vendi i parë me shumicë myslimane që ndërmori një hap të tillë.

banner

Në përputhje me marrëveshjen, Kosova pranoi të respektojë një moratorium njëvjeçar për mosaplikim në organizata ndërkombëtare, gjë të cilën e zbatoi gjatë periudhës së përcaktuar. Po ashtu, Serbia u zotua të ndalonte përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve të shtetësisë së Kosovës.

Pikat kryesore të marrëveshjes së 4 shtatorit 2020:

Zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese për autostradën dhe hekurudhën Beograd–Prishtinë, si dhe studimi i fizibilitetit për lidhjen e tyre me një port në det të thellë në Adriatik.

Bashkëpunimi me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM në projekte infrastrukturore, kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe prani të plotë të korporatës në Serbi.

Hapja dhe operacionalizimi i pikëkalimit të përbashkët kufitar në Merdare.

Anëtarësimi i të dyja vendeve në nismën “Mini-Schengen” (tani e njohur si “Ballkani i Hapur”) të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2019.

Njohja reciproke e diplomave dhe certifikatave profesionale.

Studimi për shfrytëzimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit për ujë dhe energji.

Ndalimi i përdorimit të teknologjisë 5G nga furnizues të pasigurt dhe largimi i pajisjeve ekzistuese të tilla.

Përmirësimi i kontrolleve të udhëtimit ajror dhe ndarja e të dhënave përmes sistemeve të siguruara nga SHBA.

Promovimi i lirive fetare dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe kthimi i pronave hebraike pa trashëgimtarë.

Angazhimi për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, si dhe zgjidhjen e çështjeve të refugjatëve dhe të zhvendosurve.

Përkrahja e iniciativës për dekriminalizimin e homoseksualitetit në vendet ku ai është ende i ndaluar.

Shpallja e Hezbollahut organizatë terroriste dhe kufizimi i aktiviteteve të tij në juridiksionin e të dyja palëve.

Të gjitha pikat e marrëveshjes hynë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit. Megjithatë, pesë vjet më pas, shumë prej tyre mbeten të pazbatuara ose janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërkohë që çështjet politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të tensionuara.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy