Në një hap të rëndësishëm drejt promovimit të rehabilitimit përmes aktiviteteve sportive, në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan është përuruar fusha e parë e tenisit. Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) dhe Federatës së Tenisit të Kosovës.
Fusha e re do të jetë në dispozicion të të dënuarave si pjesë e programeve të rregullta rekreative dhe edukative që zbatohen në këtë institucion.
Sipas ShKK-së, ky investim synon jo vetëm përmirësimin e kushteve për aktivitete fizike, por edhe fuqizimin e qasjeve rehabilituese që kontribuojnë në mirëqenien dhe riintegrimin e grave të dënuara.
Në njoftimin zyrtar, Shërbimi Korrektues ka falënderuar Federatën e Tenisit për mbështetjen dhe angazhimin në realizimin e këtij projekti, duke e cilësuar si një kontribut të veçantë për sistemin korrektues dhe për vetë të dënuarat.