Analisti politik, Visar Ymeri, ka kritikuar mënyrën e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se vendimmarrja në këtë subjekt politik është e centralizuar dhe varet tërësisht nga kryeministri Albin Kurti.
Duke komentuar votimin e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, Ymeri tha se ky proces nuk ishte rezultat i një vendimi kolektiv brenda VV-së, por i një urdhri të Kurtit. Ai shtoi se anëtarët dhe votuesit e kësaj partie duhet të pajtohen me këtë zgjedhje, pasi vendimi ka ardhur nga lideri i tyre.
“Vetëvendosje përdor maskimin e konceptit të së vërtetës së vet politike përmes fytyrave më të pëlqyera për publikun. Ka pasur një historik të VV-së kur në momente të caktuara janë zgjedhur persona të caktuar për të përcjellë një mesazh te qytetarët. Por këto momente po i shterojnë”, tha Ymeri në një prononcim për emisionin VV Show.
Sipas tij, rasti i fundit me zgjedhjen e Bashës dëshmoi se në VV nuk ka vend për diskutime të brendshme apo mendime ndryshe. “Lëvizja Vetëvendosje nuk është parti ku vendosin një grup njerëzish, ajo është e kundërta. Albin Kurti vendos kush e çka, dhe më pas ose e bind shumicën, ose nëse nuk e bind, e kërcënon”, u shpreh Ymeri.
Ai gjithashtu akuzoi VV-në se përdor metoda për ta “mashtruar popullin”, duke u mbështetur te figura që shihen më të pranueshme nga opinioni publik, por që sipas tij shërbejnë vetëm për të legjitimuar vendimet e Kurtit.