Në një reagim të drejtpërdrejtë dhe të pa kompromis, juristja Flutura Kusari ka kundërshtuar deklaratën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot akuzoi mediat për rrezikimin e jetës së fëmijëve të saj përmes raportimeve që lidhen me përdorimin e burimeve shtetërore.
Kusari e cilëson këtë deklaratë si një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga një çështje me interes publik: “Tentimi për raportim të faktit që ju i përdorni burimet shtetërore për të dërguar vajzat tuaja në shkollë nuk është përndjekje. Ky raportim është 100% në interes publik.”
Juristja e njohur për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, e akuzon Presidenten dhe bashkëshortin e saj për përdorim të situatave personale në funksion të sulmeve ndaj mediave:
“Përndjekje është kur ju dhe bashkëshorti juaj shfrytëzoni çdo situatë për të sulmuar mediat, për të njollosur gazetarët dhe për të krijuar klimë negative ndaj tyre.”
Kusari e lidh këtë sjellje me një tendencë të qeverisjes aktuale për të ndërtuar narrativë kundër mediave, duke e krahasuar me strategjinë e Lëvizjes Vetëvendosje:
“Qeverisja juaj ku një ditë i sulmoni gjyqtarët dhe ditën tjetër mediat e tregon vetëm një gjë: që jeni presidente pa kauzë dhe që e imitoni VV-në në krijimin e narrativës kundër media.”
Në reagimin e saj, Kusari denoncon edhe ndalimin e një kameramani gjatë raportimit, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes:
“Ndalimi i kameramanit është ndërhyrje flagrante në lirinë e shprehjes dhe të mediave. Marrja e pajisjeve të kameramanit pa urdhër gjyqësor rrezikon burimet e gazetarëve.”
Në fund, Kusari i bën thirrje Presidentes Osmani të mësojë nga përvoja e ish-Presidentes Atifete Jahjaga, të cilën e cilëson si të vetmen presidente të përndjekur pa të drejtë nga mediat:
“Ju ftoj të mësoni nga ajo se si të silleni me mediat.”