Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Alpeve Shqiptare. Një turist holandez ka humbur jetën aksidentalisht gjatë ecjes në shtegun malor që lidh Thethin me Valbonën, një nga itineraret më të njohura, por edhe më të rrezikshme të zonës.
Sipas informacioneve të para, grupi i turistëve të huaj po udhëtonte pa një guidë të licencuar. Gjatë kalimit në një segment të vështirë të rrugës, viktima rrëshqiti dhe ra nga një lartësi e madhe, duke humbur jetën në vend.
Miqtë e tij, të tronditur nga ajo që ndodhi, njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan ekipet e specializuara nga Shqipëria dhe Kosova, të ndihmuara edhe nga banorë të zonës. Për shkak të terrenit të vështirë, në ndihmë u dërgua edhe një helikopter.
Pas orësh të gjata përpjekjesh, vetëm në mëngjesin e sotëm u arrit që trupi i pajetë i turistit të nxirrej nga humnera ku kishte rënë.
Autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Trupi i viktimës ndodhet aktualisht në morgun e spitalit të Shkodrës, ndërsa pritet të kryhen procedurat e mëtejshme ligjore dhe diplomatike.