Kompania Meta ka përdorur foto të nxënëseve të shkollës për të reklamuar platformën e saj të mediave sociale, Threads, një veprim që prindërit e kanë përshkruar si “skandaloz” dhe “shqetësues”.
Një përdorues 37-vjeçar vuri re se postimet që e inkurajuan të përdorte Threads përmbanin foto të vajzave të veshura me uniformë shkollore, vetëm 13 vjeçe, me fytyrat e tyre të dukshme dhe në disa raste, edhe emrat e tyre.
Sipas “The Guardian”, fotot janë marrë nga postimet e Instagramit, ku prindërit i kishin publikuar vetë, por nuk ishin në dijeni që kompania mund t’i përdorte për reklama. Edhe pse llogaritë e tyre ishin private, fotot postoheshin automatikisht në Threads.
Babai i një prej vajzave që u shfaq në një nga këto reklama e përshkroi situatën si “absolutisht skandaloze”. Ai u shqetësua për faktin që në imazhe shfaqeshin nxënëse me funde të shkurtra, këmbë të zhveshura ose me çorape.
Meta, kompania me vlerë 2 trilionë dollarë, deklaroi se këto imazhe nuk shkelin politikat e saj dhe se përdor foto të shpërndara publikisht që përputhen me standardet e komunitetit dhe udhëzimet e rekomandimit. Kompania tha se sistemet e saj nuk rekomandojnë postime nga adoleshentët, por që përdor postime të bëra nga llogari të të rriturve, të cilat janë të vendosura për t’u parë publikisht.
Meta i quajti këto postime “mjete rekomandimi” dhe shtoi se foto të tilla publike mund të përdoren për qëllime reklamuese.