Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka mohuar kategorikisht çdo lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe zhvillimit të autizmit tek fëmijët, pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën, Trump lidhte autizmin me përdorimin e vaksinave në fëmijëri dhe marrjen e paracetamolit (i njohur si Tylenol në SHBA) nga gratë gjatë shtatzënisë – një pretendim që nuk mbështetet nga shkenca.
Të martën, EMA reagoi zyrtarisht duke theksuar se “nuk ka prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë.”
“Provat e disponueshme nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit,” – thuhet në deklaratën e agjencisë për agjencinë e lajmeve Reuters.
EMA sqaroi se paracetamoli mbetet një nga opsionet më të sigurta për trajtimin e dhimbjeve dhe temperaturës gjatë shtatzënisë, por përdorimi i tij duhet të bëhet vetëm kur është i domosdoshëm, dhe në doza dhe frekuencë sa më të ulët.
Deklaratat e Trump-it janë kritikuar gjerësisht nga komuniteti shkencor dhe organizatat shëndetësore, të cilat paralajmërojnë se përhapja e informacionit të pabazuar shkencërisht mund të dëmtojë besimin e publikut në trajtimet dhe rekomandimet mjekësore.