Në vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm prindërish kanë ngritur shqetësime lidhur me kërkesat e përsëritura për para nga ana e shkollave publike, për qëllime të ndryshme si mirëmbajtja e klasave, sigurimi i mjeteve mësimore apo aktivitete të tjera që në parim duhet të mbulohen nga buxheti shtetëror.
Këto ankesa kanë marrë përmasa të tilla që kanë nxitur gazetarin Valdrin Daci të kontaktojë me drejtorin e Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, për të marrë një qëndrim zyrtar mbi këtë çështje.
Në një deklaratë për media, Gega ka pranuar se është i vetëdijshëm për ekzistencën e rasteve kur prindërve u kërkohen para nga shkollat, por ka theksuar se një praktikë e tillë nuk është e detyrueshme dhe nuk përkrahet nga Drejtoria e Arsimit.
“Nuk ka asnjë obligim ligjor që prindërit të japin para për funksionimin e shkollave publike. Në raste të caktuara, ndihmat vullnetare mund të ndodhin, por ato duhet të jenë krejtësisht të lira dhe pa presion,” deklaroi Gega.
Ai shtoi se shkollat financohen nga buxheti komunal dhe se çdo nevojë duhet të adresohen përmes kanaleve zyrtare, jo përmes mbledhjes së mjeteve nga prindërit. Sipas tij, është përgjegjësi e institucioneve arsimore të sigurojnë transparencë dhe të mos bien ndesh me ligjin.
Ky problem nuk është i izoluar vetëm në Pejë, por është një dukuri që haset edhe në komuna të tjera të vendit, duke shtuar presionin mbi institucionet përgjegjëse për të marrë masa konkrete në mbrojtje të prindërve dhe nxënësve.
Në pritje të ndonjë udhëzim të qartë nga Ministria e Arsimit apo ndërhyrje të inspektoratit arsimor, mbetet të shihet nëse do të ketë ndalje të kësaj praktike të diskutueshme që po rëndon xhepat e qytetarëve.