Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ka dalë me kritika ndaj qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, duke paralajmëruar se praktikat aktuale politike nuk sjellin rezultate, por dështim.
Në një reagim në “Facebook”, Mustafa theksoi se skena politike ka nevojë për transparencë dhe sinqeritet, jo për manovra që, sipas tij, dëmtojnë marrëdhëniet me qytetarët dhe me aleatët ndërkombëtarë.
“Ne kemi nevojë për politikë të pastër, që ndërton raporte normale me popullin dhe me miqtë tanë, jo për manovra që i kthejnë ato raporte në eksperimente të padobishme,” shkroi ai.
Duke e cilësuar manipulimin politik si të pasuksesshëm në çdo rrethanë, Remi kujtoi historinë e rajonit: “Manovrat politike, edhe kur vishen me fjalë të bukura, janë të destinuara të dështojnë. Ballkani i ka parë të gjitha format e tyre – nga manipulimet e brendshme, deri te përpjekjet për të mashtruar miqtë strategjikë që na kanë ndihmuar të fitojmë lirinë.”