Sipas Vullnet Bugaqkut, konstituimi i Kuvendit dhe roli i Gjykatës Kushtetuese janë faktorët kyç që mund të çonin drejt zgjedhjeve të parakohshme
Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, tha se nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme përmes një standardi të jashtëzakonshëm nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet, por nuk duhet të krijohet precedent i keq që vendi të shkojë në zgjedhje pa u konstituuar ligjërisht parlamenti, duke krijuar hapësirë për spekulime dhe vonesa të mëtejshme.
“Një precedent i till do linte mundësi që çdo shumicë e cila i fiton zgjedhjet në të ardhmen, të inskenojë procedura të atilla që zvarritë procedurat e konstituimit të Kuvendit dhe sërish ta dërgojë vendin në zgjedhje”, tha Bugaqku.
Megjithatë, ai theksoi se nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje. “Gjykata përkundër tri aktgjykimeve që ua ka bërë të qartë këtyre deputetëve se keni detyrim me konstituu Kuvendin brenda një afati dhe rrjedhimisht e ka bërë të qartë që edhe grupi parlamentar fitues i zgjedhjeve që ka më së shumti ulëse në Kuvend, ka edhe përgjegjësinë kryesore të krijojë shumicë parlamentare”, tha hulumtuesi.
Andaj, Bugaqku tha se duke pasur parasysh këto, interpretimi mund të jetë i tillë që si opsion final mund të shkojë vendi në zgjedhje. “Por, para se të shkojmë në një opsion final në zgjedhje, Gjykata Kushtetuese mund të shterojë edhe mundësitë e tjera të interpretimeve që mund t’ i bëjë karshi mosrespektimit të afatit 30-ditor. E para është që këta deputetë—120 deputetë—nuk e respektojnë afatin 30-ditor, nuk e konstituojnë Kuvendin sipas standardit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe mund t’ua marrë mandatet.”, u shpreh Bugaqku.
Rrjedhimisht, Kushtetuesja sipas Bugaqkut do të urdhëronte të bëhet zëvendësimi i këtyre deputetëve me të tjerë, të cilëve po ashtu do t’u vendoste afat 30 ditor për konstituimin e Kuvendit. “Në rast se shteret kjo mundësia e zëvendësimit të mandateve të deputetëve, nuk mbetet opsion tjetër pos me urdhëru presidenten që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme si një standard i jashtëzakonshëm”, tha Bugaqku.
Përgatitjen e këtij vështrimi Bugaqku e ka bërë publike në Konferencën e Kosovës për Demokraci dhe Sundim të ligjit dhe konfirmon se statusi i konstituimit të Kuvendit dhe roli i Kushtetueses mund të përcaktojnë rrugën e pashmangshme drejt zgjedhjeve të parakohshme. /BetimipërDrejtësi