Udhëheqësit e mjedisit në Bashkimin Evropian kanë ngritur alarmin për përkeqësimin e gjendjes së ujërave në kontinent, pas publikimit të raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane për Mjedisin (EEA).
Sipas raportit të prezantuar ditën e djeshme ndotja e ujërave po përkeqësohet në mënyrë shqetësuese, me 62% të lumenjve, liqeneve dhe zonave bregdetare në një gjendje të dobët ekologjike, një rritje e ndjeshme krahasuar me 40% në vitin 2020.
Raporti i EEA, i cili publikohet çdo pesë vjet, ofron një “kontroll shëndeti” për mjedisin, klimën dhe qëndrueshmërinë në Evropë. Edicioni i këtij viti ngre alarmin për gjendjen në përkeqësim të ujërave në Evropë.
Vetëm 37% e lumenjve dhe liqeneve në Evropë kanë një status “të mirë” ose “të lartë” ekologjik. Raporti nxit hartuesit e politikave të ndërmarrin masa për të frenuar përhapjen e mikro-ndotësve, sidomos PFAS, të ashtuquajturat “kimikate të përjetshme”, që gjenden gjerësisht në ujërat sipërfaqësore dhe nuk shpërbëhen lehtë në mjedis.
Për më tepër, raporti tregon se: 30% e tokës evropiane është në rrezik thatësire, 34% e popullsisë së BE-së mund të përballet me mungesë uji në një moment të caktuar.
Bujqësia intensive dhe shfrytëzimi pyjor janë identifikuar si shkaqet kryesore të stresit mbi burimet ujore dhe humbjes së biodiversitetit. Mospërmbushja e legjislacionit të BE-së për mjedisin sjell kosto të larta për Unionin, deri në 180 miliardë euro në vit, përmes ndotjes së ajrit, ujit, degradimit të natyrës dhe mbetjeve.
“Nuk mund të përballojmë të ulim ambiciet për klimën dhe mjedisin. Raporti ynë, i ndërtuar bashkë me 38 vende, tregon qartë pse duhet të veprojmë,” deklaroi Leena Yla-Mononen, drejtoreshë e EEA.
Komisionerja për Mjedisin, Jessika Roseall, shtoi se mbrojtja e natyrës duhet parë si investim, jo si kosto:
“Natyra e shëndetshme është themeli për një shoqëri të shëndetshme, ekonomi konkurruese dhe një botë të qëndrueshme. BE mbetet e përkushtuar ndaj objektivave të saj mjedisore”.
Ajo përmendi si hap pozitiv rishikimin e ligjit për ujërat e zeza urbane, i cili tani detyron prodhuesit e barnave dhe kimikateve të mbulojnë të paktën 80% të kostove të ndotjes, sipas parimit “ndotësi paguan”. Por aktivistët e mjedisit e kanë kritikuar paketën e re ligjore të BE-së për mungesë ambicie.
Eurodeputetja austriake, Lena Schilling, deklaroi se Evropa po dobëson ligjet që mborjnë njerëzit, dhe sipas saj, kjo vë në rrezik të ardhmen e kontinentit.
“Evropa po pret degën mbi të cilën është ulur, po dobëson ligjet që mbrojnë njerëzit, ushqimin, ujin dhe ekonominë tonë. Kjo vë në rrezik të ardhmen e kontinentit”, tha Schilling.
Përfaqësuese e Surfrider Foundation Europe, Lucille Labayle, tha se raporti është një “thirrje për zgjim”.
“Ujërat e ëmbla dhe detare në Evropë janë në gjendje të degraduar. Edhe pse kjo nuk është befasuese, dështimi për të arritur objektivat për cilësinë e ujit në vitet 2030 dhe 2050 tregon se ndotja duhet luftuar në burim, urgjentisht. Uji i pastër është çështje e shëndetit publik, jo vetëm e mbrojtjes së mjedisit, dhe Evropa nuk mund të presë më gjatë”, tha Labayle.