Analisti politik Azem Vllasi ka komentuar mbi raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, mbeten ndër aleatët më të përkushtuar të SHBA-së në Evropë.
Sipas tij, çdo administratë amerikane është e vetëdijshme për këtë miqësi të veçantë strategjike, mirëpo, veprimet e Qeverisë së Kosovës rrezikojnë ta vënë në pikëpyetje këtë raport të çmuar.
“Kosova dhe Shqipëria, si dhe shqiptarët në tërësi, janë aleatë strategjikë dhe më të përkushtuarit për miqësi me SHBA-në nga të gjitha vendet dhe popujt e Evropës. Këtë e di çdo administratë dhe president i SHBA-së”, theksoi Vllasi.
Ai u ndal edhe tek pezullimi i dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës, të cilin e konsideroi pasojë direkte të qasjes së kryeministrit Albin Kurti.
“Dialogu strategjik me Kosovën është pezulluar shkaku i sjelljeve kryeneçe të Albin Kurtit. Por, me të, nëse mbetet kryeministër dhe i korrigjon gabimet e veta — ose pa të, dialogu strategjik i SHBA-së me Kosovën do të vazhdojë,” tha ai.
Duke paralajmëruar për pasojat, Vllasi nënvizoi se çdo përpjekje për të dëmtuar raportet me Washingtonin cenon drejtpërdrejt interesat e Kosovës dhe i hap rrugë Serbisë.
“Kush i prish raportet e Kosovës me SHBA-në, ai punon kundër interesave tona dhe për interesat e Serbisë,” përfundoi analisti.