Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për të ndarë nga 100 euro për secilin student, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për blerje votash në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas Miftarajt, ekzekutivi aktual nuk ka legjitimitet për të marrë vendime të tilla, pasi shumica e ministrave janë tashmë të certifikuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës, çka sipas tij e bën këtë veprim në kundërshtim me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Supreme.
“Ky vendim ka probleme serioze si në aspektin e legjitimitetit, ashtu edhe të legalitetit. Kemi të bëjmë me një qeveri që nuk ka mandat të plotë për të ushtruar kompetencat e saj. Gjykata Supreme ka konstatuar se mbajtja e dy pozitave si ministër dhe deputet është në kundërshtim me Kushtetutën,” deklaroi Miftaraj.
Ai shtoi se vendimi nuk është bazuar në asnjë analizë reale të nevojave ekonomike të studentëve, duke theksuar se ndarja e njëtrajtshme e mjeteve është e padrejtë.
“Nëse do të kishte një analizë të mirëfilltë, ndihma do t’u ndahej studentëve që vërtet kanë nevojë. Ka studentë që janë në gjendje të mirë financiare, madje edhe milionerë, që nuk kanë nevojë për këto mjete,” u shpreh ai për Ekonomia Online.
Miftaraj kujtoi gjithashtu se Vetëvendosje në të kaluarën kishte kritikuar qeveritë e mëhershme për veprime të ngjashme në kohë fushate, duke i quajtur “forma të korrupsionit elektoral”.
“Sot po shohim të njëjtën praktikë që dikur Vetëvendosje e dënonte. Ndarja e 100 eurove për të gjithë studentët, pa dallim gjendjeje ekonomike, është një vendim populist, me karakter elektoral,” shtoi ai.
Sipas Miftarajt, një qeveri që mendon për mirëqenie afatgjatë do të investonte këto fonde në përmirësimin e kushteve në konvikte, programe arsimore apo në cilësinë e mësimdhënies, e jo në shpërndarje të përkohshme parash.
Kjo është hera e dytë që Qeveria e Kosovës ndan nga 100 euro për studentët, një masë e ngjashme me atë të vitit 2022, kur subvencione të tilla ishin ndarë edhe për punëtorët dhe pensionistët si pjesë e pakos për përballimin e krizës ekonomike.