Xhafer Tahiri, i cili garoi si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u bërë kryetar i Vushtrrisë dhe humbi në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, ka vendosur që pa miratimin e partisë të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për balotazhin që zhvillohet më 9 nëntor.
Në një ‘ceremoni’ te kalaja e vjetër e Vushtrrisë ku mori pjesë edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, Xhafer Tahiri shprehu mbështetjen e tij për kandidatin e kësaj partie, Sylejman Mehollin në balotazh.
“Në emrin tim, në emër të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri dhe të asambleistëve që janë këtu me neve, më lejoni që t’ju falënderoj për prezencën tuaj sot dhe them se ky koalicion, kjo marrëveshje nuk është kundër askujt. Është marrëveshje për qytetin dhe për qytetarët e Vushtrrisë ekskluzivisht”, tha fillimisht Tahiri.
Më pas, për marrëveshjen, foli si për një kthim borxhi.
“Duke qenë një besimtar, unë besoj që e mira duhet me u kthy me të mirë. Në 2017-ën Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur ndryshimin në Vushtrri, sot LDK e kthen në Vushtrri këtë mbështetje, me qëllim që të vazhdohet një ndryshim i domosdoshëm në qytetin e Vushtrrisë”, tha ai.