Policia në Zubin Potok i ka arrestuar tre persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe gjueti e kundërligjshme.
“Më datë 19.10.2025, rreth orës 12:30, zyrtarë nga Pylltaria e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrës në fshatin Kërligatë, komuna Zubin Potok, kanë hasur në një automjet në të cilin gjendeshin tre persona të dyshimtë: V.H (1993), F.S(1997). dhe V.S(1990)”.
“Pas një mosmarrëveshjeje verbale ndërmjet palëve, zyrtarët e pylltarisë (viktimat) janë paraqitur në stacionin policor për të dhënë deklaratën e tyre, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në SP Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ata, siç thotë Policia, vullnetarisht dorëzuan tri pushkë gjuetie, një pistoletë, 25 fishekë të armëve përkatëse dhe një radio dore.
“Nga hetimet fillestare është konstatuar se në atë zonë nuk lejohet të bëhet gjueti, pasi e njëjta është zonë e mbrojtur”, thuhet në njoftim.
“Me urdhër të prokurorit kompetent, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre janë inicuar rastet për veprat penale: Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe Gjueti e kundërligjshme”, njofton Policia.
Policia u ka bërë apel qytetarëve që t’i respektojnë ligjet dhe rregullat që e ndalojnë gjuetinë në zonat e mbrojtura, si dhe të mos mbajnë armë pa leje, pasi “çdo veprim i tillë paraqet shkelje të ligjit dhe rrezik për sigurinë publike”.